23 Libra Psikologjik Qe Duhet Ti Lexosh Patjeter

Ne kete shkrim flas për disa libra psikologjik që do të te japin nje avantazh te papare ne jete.

Lista eshte e gjate sepse njerezit kane probleme dhe pelqime të ndryshme dhe dua që çdokush të gjeje një liber me vlere.

#1 How to Gain Confidence and Power in the Social World

Ky nuk është një libër por një kurs i avancuar nga unë. Është kulmi i gjërave kryesore që kam mësuar rreth psikologjisë në më shumë se 7 vitet e fundit.

I kam përmbledhur të gjitha strategjitë dhe konceptet kryesore dhe i kam paraqitur në një mënyrë të thjeshtë që çdokush mund t’i kuptojë dhe t’i zbatojë.

Çfarë mund të mësosh:

  • Si të performosh në një nivel të lartë në çdo gjë që bën
  • Si të gjesh rrënjën e ankthit dhe problemeve të tjera emocionale
  • Si t’i shkulësh ato rrënjë në mënyrë që të mos të pengojnë më
  • Si t’i kuptosh njerëzit më mirë se ç’kuptojnë veten
  • Si të paraqitesh si një njeri me autoritet edhe nëse nuk ke asnjë pikë pushteti
  • Si të jesh më i aftë për të folur e bindur njerëzit
  • Si të jesh më karizmatik

E shumë më shumë…

#2 The Road Less Travelled nga Scott Peck

Ky libër të sfidon ta shikosh veten me sinqeritet dhe të rimarrësh kontrollin e jetës tënde. Ashtu si me rekomandimin e mëparshëm, nuk do gjesh zgjidhje të shpejta por të duhura.

Nëse je ndjerë i humbur ose sikur problemet me të cilat përballesh janë shumë më të mëdha se ti, atëherë ky libër të jep udhëzimin e nevojshëm që ta kuptosh veten, botën, dhe t’i kalosh këto sfida me sukses.

Scott thekson se:

– Jeta është e vështirë, por përballja me problemet është rruga drejt rritjes.

– Në vend që të shmangim dhimbjen apo sfidat, duhet t’i përqafojmë ato si mundësi për të mësuar dhe për t’u përmirësuar.

Disiplina është mjeti më i fuqishëm për të jetuar një jetë të mirë. Kjo përfshin:

  • Vonesa e kënaqësisë – Të bësh punën e vështirë fillimisht për të shijuar shpërblimin më vonë.
  • Përgjegjësia personale – Të pranosh se vetëm ti je përgjegjës për jetën tënde.
  • Përkushtimi ndaj së vërtetës – Të jesh i sinqertë me veten dhe të përballesh me realitetin, edhe kur dhemb.

– Dashuria e vërtetë kërkon përkushtim dhe përpjekje. Ajo nuk është vetëm romantike, por përfshin kujdesin për të tjerët dhe për vetveten.

– Për të jetuar plotësisht, duhet të ndjekësh një qëllim më të madh dhe të jesh i hapur për të mësuar gjatë gjithë jetës.

– Rritja shpirtërore është një udhëtim i përhershëm.

#3 The Believing Brain nga Michael Shermer

Shermer shpjegon një të vërtetë të thjeshtë, por që shumë veta nuk i kushtojnë rëndësi:

Truri i njeriut është një makineri që prodhon besime.

Nëpërmjet shqisave, truri merr informacion nga bota përreth, krijon modele (patterns), dhe më pas u jep kuptim këtyre modeleve.

Me kalimin e kohës, këto modele kthehen në besime që na ndihmojnë të veprojmë e të funksionojmë më lehtë në botën që na rrethon.

Problemi qëndron se shumë prej këtyre besimeve janë të bazuara jo në fakte, por thjesht në përvoja personale.

Pra, gjasat janë shumë të mëdha që besimet që i kemi mbajtur me vite… të jenë të pavërteta.

Kjo pastaj të çon të marrësh vendime të gabuara në jetë dhe të vuash më shumë se ç’është e nevojshme.

Duke lexuar këtë libër, do kuptosh:

  • Pse njerëzit besojnë dhe këmbëngulin në gjëra të pakuptimta ose të pavërteta.
  • Kufizimet që ka truri ynë në perceptimin e realitetit.
  • Si t’i shmangësh gabimet që lindin nga këto kufizime.

Me pak fjalë, do mësosh ta shikosh realitetin ashtu siç është… aq sa është e mundur.

#4 The Laws of Human Nature nga Robert Greene

Nëse do të kesh më shumë kontroll mbi veten dhe të tjerët, duhet ta kuptosh dhe ta pranosh natyrën njerëzore.

Robert Green ka marrë disa aspekte kyçe të natyrës njerëzore dhe i ka shpjeguar ato me histori dhe shembuj praktikë. Ky stil i të shkruarit e bën shumë më të thjeshtë për të kuptuar disa tema që zakonisht janë komplekse.

Do të mësosh që:

  • Emocionet shpesh udhëheqin vendimet tona më shumë sesa mendojmë. Duke i njohur dhe kuptuar emocionet, mund t’i frenojmë ato për të shmangur vendimet e gabuara.
  • Njerëzit shpesh veprojnë sipas interesave të tyre të fshehta ose të pavetëdijshme. Duke mësuar të lexosh shenjat e tyre të fshehta – si gjestet, tonin e zërit dhe sjelljet – mund të shmangësh manipulimet dhe konfliktet.
  • Për të ndërtuar marrëdhënie të forta, është e rëndësishme të zhvillosh aftësinë për të kuptuar emocionet dhe perspektivat e të tjerëve. Kjo të ndihmon të ndërveprosh më mirë dhe të krijosh lidhje më të mira.
  • Çdo njeri ka një “hije” – dëshira të shtypura ose anë të karakterit që shpesh injorohen. Njohja e kësaj “hijeje” ndihmon për të shmangur sjelljet autoshkatërruese dhe për të rritur vetëdijen.

Duke kuptuar natyrën njerëzore, jo vetëm që do të jesh në gjendje të kuptosh më mirë veten, por edhe të kesh një ndikim më të madh te të tjerët.

#5 Confidence Gap Nga Dr. Ross Harris

Shumica e njerëzve kanë këtë besim se duhet të jenë të sigurt që diçka do të funksionojë para se të bëjnë diçka të rëndësishme.

Por ky është një kurth.

Nëse pret sa të ndihesh i sigurt, nuk do të veprosh kurrë.

Vetëbesimi nuk është një ndjesi që duhet ta presësh të vijë; është një aftësi që mund ta ndërtosh.

Dr. Harris nuk ofron këshilla të tipit “mendo pozitivisht” apo “Fake it till you make it.”

Në vend të kësaj, ai shpjegon një qasje të bazuar në psikologjinë moderne, të quajtur ACT (Acceptance and Commitment Training).

Ky model të ndihmon:

  • Të menaxhosh ndjenjat e pasigurisë dhe frikës.
  • Të veprosh sipas vlerave dhe qëllimeve të tua, pavarësisht emocioneve të pakëndshme.

Nëse e ke ndjerë veten të bllokuar nga frika e dështimit apo mungesa e vetëbesimit, ky libër ofron këshilla praktike për të menaxhuar ato emocione dhe për të mos i lejuar të të pengojnë më.

Do të mësoni si të përballesh me frikën dhe ta përdorësh atë si një katalizator për veprim, duke ndërtuar kështu një vetëbesim që qëndron i qëndrueshëm përballë sfidave të jetës.

#6 How to Think like a Roman Emperor

Mark Aureli, një nga perandorët më të fuqishëm të Romës, kishte gjithçka – pushtet, pasuri, famë. Por ajo që e bëri atë të jashtëzakonshëm ishte aftësia për të mbajtur qetësinë përballë sfidave kolosale, duke përfshirë luftërat, sëmundjet dhe humbjet personale. Arma e tij sekrete ishte edukimi me filozofinë e Stoicizmit që nga fëmijëria.

Në këtë libër, psikologu Donald Robertson sjell historinë e Mark Aurelit dhe filozofinë e tij në një format të thjeshtë që mund ta përdorësh në jetën tënde.

Çfarë do të mësosh:

  • Si të menaxhosh emocionet dhe frikën – të qëndrosh i qetë dhe i fokusuar pavarësisht situatave të vështira.
  • Si të përballosh humbjet dhe vështirësitë – duke përdorur rezistencën dhe qartësinë mendore për të kaluar çdo sfidë.
  • Si të jetosh në përputhje me vlerat e tua – duke marrë vendime që përfaqësojnë atë që është më e rëndësishme për ty.
  • Si të ndërtosh një qëllim më të madh në jetë – për të gjetur një drejtim dhe kuptim të thellë në gjithçka që bën.

Ky libër është një udhërrëfyes për të aplikuar mësimet e Stoicizmit në mënyrë praktike, duke të ndihmuar të arrish qetësi mendore dhe qëndrueshmëri shpirtërore në botën e sotme.

#7 Charisma Myth nga Olivia Cabane

Njerëzit mendojnë se të jesh karizmatik është diçka e lindur – ose e ke, ose jo.

Cabane sfidon këtë mit, duke shpjeguar se karizma është një kombinim i Prezencës, Pushtetit dhe Ngrohtësisë, të cilat mund të mësohen.

Në këtë libër do të mësosh:

  • Si të aplikosh këto aftësi në biseda, intervista pune dhe fjalime publike.
  • Si të kushtosh vëmendje të plotë në biseda për të qenë më tërheqës dhe autentik.
  • Si të balancosh pushtetin me ngrohtësinë për të krijuar ndikim dhe besim.
  • Si të menaxhosh emocionet negative që dëmtojnë besueshmërinë.

#8 What Every Body is Saying? nga Joe Navarro

Joe Navarro, një ish-agjent i FBI-së me mbi 25 vite përvojë, shpjegon artin e të lexuarit të gjuhës së trupit.

Në vend që të mbështetesh vetëm te fjalët, ai tregon si të zbulosh të vërtetën përmes gjesteve, shprehjeve të fytyrës dhe mënyrës se si njerëzit lëvizin.

Do mësosh si të:

  • Interpretoh gjestet dhe shprehjet për të kuptuar qëllimet dhe emocionet.
  • Dallosh sinjalet e stresit dhe gënjeshtrës.
  • Përdorësh këto aftësi për të përmirësuar marrëdhëniet në jetën tënde.

#9 Emotional Vampires nga Albert Bernstein

Ky libër flet për “vampirë” që nuk të thithin gjakun, por çdo pikë energjie. Këta janë njerëz të zakonshëm – një drejtues, shok, i/e dashur, apo një anëtar familje.

Ata mund të duken më tërheqës, më të aftë, madje edhe më sharmant se të tjerët.

Ti i fton në jetën tënde, pret shumë prej tyre dhe përfundon duke marrë shumë pak.

Shpesh e kupton gabimin vetëm pasi portofoli është boshatisur ose pasi të është thyer zemra.

Autori shpjegon si të merresh me pesë lloje “vampirësh”: Antisocialët, Melodramatikët, Narcisët, ata me çrregullim obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe Paranojakët.

Gjatë 40 viteve përvojë si psikolog, autori ka parë se këta njerëz shkaktojnë më shume probleme.

#10 Never Split the Difference Nga Chris Voss

Besimi i zakonshëm kur negocion apo përpiqesh të bindësh dikë është të krijosh një situatë ku të dyja palët dalin të kënaqura, apo jo?

Por Chris Voss ka një qasje krejt ndryshe: Pse të mos marrësh gjithçka që do, ndërkohë që pala tjetër beson se fitoi po aq sa ti?

Pse të mos marrësh 90 apo 100% të “tortës”, ndërsa pala tjetër është e bindur se rezultati ishte 50/50?
Duket e çuditshme, por funksionon.

Chris Voss, ish-shefi i grupit të negocimit të pengjeve të FBI-së, ka përdorur këtë qasje për të shpëtuar jetë. Dhe të njëjtat teknika që ai ka përdorur me terroristët dhe kriminelët, mund t’i përdorësh edhe ti në jetën e përditshme.

Çfarë do të mësosh:

  • Të kuptosh dhe të përdorësh emocionet për të fituar besimin e palës tjetër.
  • Të përqendrohesh te rezultatet, jo kompromiset.
  • Të bësh pyetje që e drejtojnë bisedën aty ku do ti.
  • Të përdorësh heshtjen si një armë të fuqishme.
  • Dhe shumë më tepër…

Ky libër të jep mjetet për të negociuar si një profesionist dhe për të fituar në çdo situatë.

#11 The Art of Manipulation Nga R.B Sparkman

Është publikuar në vitin 1979 por mësimet janë akoma të vlefshme.

Autori jep teknika të fuqishme sesi mund të manipulosh të tjerët.

Para se ta shkruante këtë libër, ai shpenzoi një vit duke jetuar me një grup mashtruesish (con men). Ky po që është dedikim në punë.

Sigurisht, është mashtruar me dhjetëra herë, por arriti të kuptonte sesi funksionon manipulimi dhe të shkruante një libër shumë të vyer.

Duke qenë se nuk është në Amazon, mund ta gjesh tek PDF Drive.

#12 The Code of Trust Nga Robin Dreeke

Robin Dreeke ka punuar si Agjent i Kundërzbulimit të FBI-së për 20 vite.

Puna e tij ishte të ndërtonte raport me spiunë, rekrutues të spiunëve, ose njerëz që kanë lidhje me ta, për të marrë informacion. Pse jo, edhe të bindësh ndonjërin të spiunojë kundër vendit të vet.

Ky libër shpjegon sistemin që Robin ka krijuar, testuar, dhe implementuar gjatë punës në terren në nivelet më të larta të sigurisë në SHBA.

#13 Crystallizing Public Opinion Nga Edward Bernays

Një libër i shkruar nga babai i propagandës, Edward Bernays. Ai shpjegon me hollësi sesi manipulohet opinioni publik.

Në dokumentarin e mëposhtëm kam përmbledhur qasjen e tij, dhe mund të kuptosh sesi funksionon propaganda dhe si të mbrosh veten.

Për t’i vendosur titrat në shqip, shko tek ⚙️Settingsᶜᶜ Subtitles dhe zgjidh opsionin për gjuhën shqipe.

#14 Influence

Libri i famshëm nga Robert Cialdini shpjegon me detaje 6 armët e influencës:

Mungesa – Ne priremi t’i vlerësojmë më shumë gjërat që janë të rralla ose të vështira për t’u gjetur.

Reciprociteti – Kur dikush të jep diçka, ti ndihesh i “detyruar” t’ia kthesh nderin.

Vazhdimësia – Njerëzit që bëjnë përkushtime të vogla kanë tendencën të mos e ndryshojnë sjelljen.
Për shembull, nëse shkon shpesh në një dyqan për të blerë diçka të vogël, me kalimin e kohës bëhesh klient i rregullt dhe shpenzon edhe më shumë para aty.

Prova sociale – Ne influencohemi nga çfarë bëjnë të tjerët. Kur të tjerët e miratojnë diçka, ne priremi ta ndjekim.

Pëlqimi – Njerëzit preferojnë të blejnë nga ata që i pëlqejnë ose me të cilët ndihen të lidhur.

Autoriteti – Që kur jemi të vegjël, kemi mësuar t’i respektojmë figurat autoritare, si mësuesit apo liderët.

#15 Principles Nga Ray Dalio

Ray Dalio është një nga investitorët më të suksesshëm në histori.

Në vitin 1975, ai themeloi kompaninë e investimeve Bridgewater Associates në apartamentin e tij me dy dhoma në New York.

40 vite më vonë, kjo kompani kishte bërë më shumë para për klientët e saj sesa çdo kompani tjetër hedge fund. Sot, Bridgewater Associates menaxhon rreth 140 miliardë dollarë.

Në këtë libër, Dalio ndan një grup parimesh që e kanë ndihmuar të ketë një karrierë të jashtëzakonshme dhe të ndërtojë një nga kompanitë më të fuqishme në botë.

Mësim Kyç: Dhimbje + Reflektim = Sukses

#16 The Brain that Changes Itself nga Norman Doidge

Më parë, njerëzit mendonin se truri është një makineri komplekse, ku çdo pjesë ka një funksion specifik, dhe nëse e dëmton një pjesë, e ke humbur atë funksion përgjithmonë.

Por një fushë e re, e quajtur neuroplastika, shpjegon se truri është i aftë të përshtatet. Nëse një pjesë nuk funksionon, pjesët e tjera mund të bëhen më të forta për të kompensuar humbjen.

Për shembull, nëse dikush bëhet i verbër, pjesa e trurit përgjegjëse për dëgjimin dhe prekjen forcohet, duke e ndihmuar individin të përmirësojë këto shqisa.

#17 Thinking Fast and Slow nga Daniel Hahnneman

Daniel Kahneman është psikologu i parë që ka fituar një çmim Nobel në Ekonomi (2001).

Ai shpjegon dy sistemet e mendjes:

  • Sistemi 1: i shpejtë, intuitiv, emocional dhe operon me pak mundim.
  • Sistemi 2: i ngadaltë, kërkon më shumë mundim dhe është më logjik.

Ky libër, ndonëse pak i vështirë për t’u lexuar, është një rekomandim i shkëlqyer për ata që duan të mësojnë më shumë mbi sjelljen njerëzore dhe mënyrën si marrim vendime.

#18 Efekti Lucifer

Është puna e 30 viteve ku Dr. Philip Zimbardo shpjegon faktorët që krijojnë ambientin ku një njeri i mirë kthehet në një person të keq.

Ai tregon për herë të parë historinë pas Eksperimentit të Burgut të Stanford, një studim i kryer në vitin 1971, ku disa studentë normalë u zgjodhën rastësisht për të luajtur rolet e gardianëve dhe të burgosurve në një burg të simuluar.

Por gjërat dolën jashtë kontrollit, sepse gardianët u bënë shumë të dhunshëm.

Eksperimenti, që ishte parashikuar të zgjaste 2 javë, përfundoi në vetëm 6 ditë për shkak të përkeqësimit të situatës.

#19 Charismatic Personality nga Len Oakes

Ka shumë libra që të mësojnë karizmën, por ky libër ofron një këndvështrim tjetër.

Ai fokusohet në fëmijërinë e disa prej liderëve më karizmatikë të historisë dhe shpjegon se si përvojat e tyre në fëmijëri kanë ndikuar në sjelljen dhe udhëheqjen e tyre kur u rritën.

#20 Brandwashed nga Martin Lindstrom

Martin Lindstrom është një ekspert marketingu që këshillon kompani të Fortune 100, duke përfshirë Coca-Cola dhe Red Bull.

Në librin e tij, Martin ndan disa mënyra interesante që kompanitë përdorin për të na bindur (dhe ndonjëherë manipuluar) për të blerë produktet e tyre.

#21 7 Habits of Highly Effective People nga Stephen Covey

Stephen Covey tregon 7 zakone që ndihmojnë dikë të jetë më efektiv, si personalisht ashtu edhe profesionalisht.

Zakoni që më bëri më shumë përshtypje është ai i të qenit proaktiv.

Mësova që, sado e vështirë të jetë situata, gjithmonë kam një zgjedhje – ta lejoj situatën të më lëndojë ose të ndryshoj përgjigjen time ndaj saj. Të mos fokusohem në atë që nuk kam nën kontroll, por në atë që mund të ndryshoj.

Gjithashtu, u frymëzova nga historia e Viktor Frankl.

Dhe kjo na çon te libri tjetër…

#22 Man’s Search for a Meaning

Është biografia e Viktor Frankl, një psikiatër dhe hebre i burgosur në kampet e vdekjes të Gjermanisë Naziste.

Prindërit, vëllai dhe gruaja e tij humbën jetën në kampe. Vetëm motra e tij arriti të mbijetonte.

Bazuar në përvojën e tij dhe vuajtjet që përjetoi, Frankl thekson se nuk mund ta shmangim vuajtjen, por mund të zgjedhim si ta përballojmë atë, t’i gjejmë një kuptim dhe të ecim përpara me forcë dhe shpresë.

#23 Get Out of Your Own Way nga Mark Goulston

Shpesh, ne sillemi në mënyra që na mbajnë larg nga objektivat tona:

  • Vendos të humbësh peshë, por ndalesh në një fast food.
  • Vendos ta lësh alkoolin, por pi një birrë me shokët.
  • Përpiqesh të heqësh borxhet, por shpenzon për gjëra të panevojshme.
  • Nervozohesh dhe thua gjëra që më pas pendohesh.
  • Fokusohesh në gabimet e të tjerëve dhe më pas e kupton: “Nuk më besohet që e thashë atë! Duhet ta kisha ditur më mirë.”

Mark Goulston në librin e tij shpjegon 40 zakone dhe sjellje që nuk janë në interesin tënd dhe çfarë mund të bësh për t’i larguar.

Scroll to Top